Koronaviurusi, vetëm pesë ditë pushim për mjekët e infermierët
Me para nuk pësuan, por me pushime po. Mjekët dhe infermierët, sivjet mund të marrin vetëm pesë ditë nga pushimi i tyre vjetor. Kjo, po u duket mirë, krahasuar me një vendim paraprak, sipas të cilit nuk mund të merrnin asnjë ditë pushimi.
E morën epitetin e heronjve. Por krahas përballjes me rrezikun nga pandemia mjekët dhe infermierët e Kosovës po duhet ta bëjnë edhe një sakrificë. Asnjëri prej tyre nuk mund të pushojë kësaj vere më shumë se pesë ditë pune ose një javë totale.
E ky megjithatë po cilësohet si një sukses nga sindikalistët që arritën ta anulojnë një vendim paraprak të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar për të mos pushuar fare.
Sipas Xhemajl Selmanit që është nënkryetar i Sindikatës ditët e mbetura të pushimit punëtorët shëndetësor mund t’i marrin më vonë në një kohë më të përshtatshme ose mund të kompensohen me para.
E gjithë kjo situatë u krijua nga shfaqja e koronavirusit më 13 mars.
Vendimi i ri për pushimet është konfirmuar nga zëdhënësi i SHAKUK’së, Shpend Fazliu.