Kosnett flet për ‘bashkimin kombëtar’ të Kurtit: Ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për Shqipërinë e Madhe
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka komentuar deklaratat e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt për bashkim kombëtar me Shqipërinë.
Gjatë fushatës, Kurti dhe Haradinaj e kanë përmendur bashkimin e Kosovës me Shqipëri, Kurti tha se në rast të referendumit, ai do të votonte Po. Gjatë fushatës zgjedhore edhe Haradinaj e ka përmendur idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ndërkohë Kosnett ka thënë se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për krijimin e Shqipërisë së Madhe apo edhe për krijimin e Serbisë së Madhe.
Ndërkohë bashkimi kombëtar është përmendur si alternativë pasi qytetarët e saj jetojnë të izoluar dhe nuk iu mundësohet udhëtimi pa viza në shtetet e BE’së. Kosnett thotë se nuk e sheh të ardhmen e Kosovës në izolim.
“Nuk do të përpiqem të hyj brenda mendjes së të gjithë atyre individëve që kanë folur për këtë. Mendoj se e ardhmja e Kosovës nuk qëndron në izolim, apo të përdori fjalën tuaj, të jetesës në geto. Kosova duhet që të jetë pjesë e Evropës së madhe e jo vetëm e Shqipërisë së madhe. Natyrisht, si amerikan, e kam të lehtë për të thënë që BE-ja duhet t’ju ofrojë kosovarëve liberalizim të vizave”, shtoi ai.