KOSTT: Do të vazhdojmë me reduktime të rrymës
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë – KOSTT, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se instruksionet për reduktimet e energjisë elektrike do të mesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës elektroenergjetike në vend.
Pamjaftueshmëria e furnizimit me energji elektrike është dhënë si arsye nga ana e KOSTT se pse po vazhdohet me reduktime të rrymës ndonëse Ministria e Ekonomisë kishte njoftuar se është kthyer furnizimi i rregullt me rrymë
“Njoftohen qytetarët e vendit që sipas masave dhe procedurave operative për balancim të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihen me Kodin e Rrjetit, instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës”, thuhet në komunikatën për media.
Se si do të jenë intervalet kohore të reduktimeve të energjisë elektrike, sipas KOSTT, ato mund të dallojë nga dita në ditë në varësi të konsumit dhe nga energjia e siguruar nga palët përgjegjës.
“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur”.