16-04-2024

KQZ-ja vendos për rinumërimin e 8 vendvotimeve për kryetar dhe 15 për kuvende komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërimin e një numri të vogël të vendvotimeve, të cilat nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta, për shkak të problemeve të natyrave të ndryshme, kryesisht teknike.

Numri i vendvotimeve që do të rinumërohen është 23 vendvotime, prej të cilave vetëm 8 për kryetarë të komunave dhe 15 të tjera për kuvende komunale.

Procesi i rinumërimit të tyre do të fillojë pasditen e së enjtes në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ-ja ka lënë të hapur mundësinë që kësaj liste t’i shtohet edhe ndonjë vendvotim, i cili do të rinumërohet.

Sami Kurteshi i VV-së, kërkoi sqarime përse po ndodhin gabime të kësaj natyre.

“Për gjitha këto sqarime dhe rekomandime, po dua me ditë pse çdo herë këso lloj gabime po ndodhin. A po bëhen qëllimisht apo jo”, tha ai, teksa edhe anëtarët tjerë kërkuan sqarime të tilla.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që gjatë kësaj jave të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura përmes postës nga votuesit jashtë Kosovës.

Për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, KQZ-ja nuk ka dhënë akoma një datë të saktë. Raundi i dytë i Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahen më 14 nëntor.

Asnjë koment

Comments are closed.