KQZ paguan 1.126 persona të angazhuar vjet në zgjedhje, 622 mbeten për më vonë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një njoftimi bën të ditur se këto ditë e ka dërguar në Ministrinë e Financave listën për pagesë të një pjese të stafit të angazhuar në procesin zgjedhor 2017.
Duke u mbështetur në kufizimet buxhetore dhe pamundësinë për të përmbyllur të gjitha pagesat në këtë kohë, njoftojmë se pagesat kanë filluar të realizuar për 1.126 persona, nga gjithsej 1.748, të cilët kishin mbetur pa paguar deri në përfundim të vitit të kaluar.
Transferimi i mjeteve, që pritet të përmbyllet të martën (24 korrik), është bërë në llogaritë aktive 1.126 personave, të cilët kanë qenë të angazhuar në komuna të ndryshme të Kosovës si: komisionarë, personeli për raportimin e rezultateve preleminare (K-Vote); dhe në Qendrën e numërimit dhe rezultateve. Mjetet janë siguruar nga buxheti i KQZ-së, saktësisht nga projektet të cilat kanë pasur të realizohen në këtë pjesë të dytë të këtij viti.
Pagesa për pjesën e mbetur, 622 persona, do të bëhet sapo të sigurohen mjetet e nevojshme dhe për këtë ata do të informohen me kohë, thuhet në njoftimin e KQZ-së. Këtu përfshihen 455 persona nga komuna e Klinës dhe 167 të tjerë nga komuna e Prizrenit.
Duke pasur parasysh se Zgjedhjet Lokale janë mbajtur në fund të vitit të kaluar, disa pagesa për trupat zgjedhore nuk ishte e mundur të realizoheshin brenda vitit 2017./koha.net