Kriza e madhe ekonomike, shteti i parë në botë që e pranon zyrtarisht falimentimin
Shri Lanka ka falimentuar dhe pasojat akute të krizës së saj të pashembullt ekonomike do të zgjasin së paku deri në fund të vitit të ardhshëm, i tha parlamentit të vendit kryeministri Ranil Wickremesinghe të martën.
22 milionë banorët e vendit ishullor kanë duruar inflacionin e lartë dhe ndërprerjet e gjata të energjisë për muaj pasi qeverisë i mbaruan monedhat e huaja për të importuar mallra jetike.
Wikremesinghe tha se vendi dikur i begatë do të hynte në një recesion të thellë këtë vit dhe se mungesat akute të ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve do të vazhdonin, shkruan Indeksonline.
“Do të na duhet të ndeshim vështirësi dhe më 2023 do të na duhet të përmbushim vështirësitë. Kjo është e vërteta. Ky është realitet“, tha kryeministri i Shri Lankës para deputetëve.
Ai tha se negociatat e ndihmës në vazhdim të Shri Lankës me Fondin Monetar Ndërkombëtar varen nga finalizimi i një plani ristrukturimi borxhi me kreditorët deri në gusht.
“Ne po marrim pjesë tani në negociata si një vend i falimentuar“, tha Wikremesinghe.
“Për shkak të gjendjes së falimentimit në të cilën është vendi ynë, ne duhet t’u ofrojmë atyre një plan mbi qëndrueshmërinë e borxhit në veçanti. Vetëm kur (FMN) të jetë e kënaqur me këtë plan mund të arrijmë një marrëveshje“, tha ndër të tjera kryeministri.
Javën e shkuar, FMN tha se më shumë punë është e nevojshme për të korrigjuar financat e vendit dhe për të rregulluar defiçitin fiskal të tij përpara se të arrihet një marrëveshje financimi për të zgjidhur krizën.
Shri Lanka aktualisht është pothuajse krejtësisht jashtë furnizimit me karburante dhe qeveria ka mbyllur shërbimet publike të parëndësishme në një përpjekje për të kursyer karburant.
Kombet e Bashkuara llogaritin se rreth 80 për qind e qytetarëve i lënë vaktet pa ngrënë për të përballuar mungesën e ushqimit dhe çmimet rekord.
Shri Lanka ka pezulluar ripagimet e borxhit të huaj me vlerë rreth 7 miliardë dollarë këtë vit, ndërsa nivelet e këmbimit të huaj kanë rënë në nivele rekord.
Borxhi i jashtëm total i vendit është 51 miliardë dollarë, nga të cilat 28 miliardë dollarë duhet të paguhen deri në vitin 2027, me një ripagim mesatar prej rreth 5 miliardë dollarë në vit.
Njerëzit e zhgënjyer kanë mbajtur protesta në rrugë prej muajsh.
Uikremesinghe tha se Banka Qendrore po parashikon një rënie ekonomike nga 4% në 5% këtë vit. FMN vlerëson se ekonomia e Shri Lankës do të tkurret me 6% deri në 7%.
Ekonomia e Shri Lankës është shkatërruar nga pandemia, e cila ka përkeqësuar problemet për një kohë të gjatë të keqmenaxhimit ekonomik.
PBB-ja ra në 76.2 miliardë dollarë në vitin 2021, nga 94.4 miliardë dollarë më 2018 dhe nuk do të rimëkëmbet në nivelin që ishte në vitin 2018 deri në vitin 2026, tha Wickremesinghe. /IndeksOnline/