23-11-2024

Kriza politike dëmton turizmin në Shqipëri

Situata e tensionuar politike në Shqipëri mund të ketë frenuar fluksin hyrës të pushuesve në këtë vend, në muajin maj dhe qershor.

Kosova, e cila përbën rreth 35% të numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë, ka shënuar uljen më të madhe nga vendet e rajonit me minus 18.7 pikë përqindje, krahasuar me muajin maj të vitit 2018. Nga Maqedonia e Veriut ka një rënie me minus 8.3 pikë përqindje, ndërsa nga Mali i Zi ka një rënie prej minus 9.7 pikë përqindje, krahasuar me muajin maj të vitit 2018.

“Nga 1.6.2019 deri më 25.6.2019 rezulton të kenë hyrë nga Kosova në Shqipëri 109.516 shtetas të Kosovës. Ndërkohë që hyrja e këtyre shtetasve për qëllime turistike është 80.556 persona”, thotë për “Kohën Ditore”, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut në Kukës, Diana Deda.

Nga përllogaritjet rezulton se për periudhën 25-ditore, numri i vizitorëve nga Kosova në Shqipëri për qëllime turistike është 10.707 persona, më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, shkruan sot Koha Ditore.

Kriza politike në Shqipëri, që është zhvendosur me protesta të dhunshme ndaj institucioneve, rrezikon të prishë imazhin e Shqipërisë për vitin në vijim. Sipas ekspertëve të fushës së turizmit, dëmi që politika po i bën turizmit do të ndihet vitin tjetër, në rezervimet e verës 2020.

Asnjë koment

Comments are closed.