Kryeministri Kurti, i përhumbur në botën e tij
Autor: Afrim Kasolli
Dje gazeta Blic, na i ofroi disa skena nga punimet e Kuvendit të Kosovës. Në njërën prej tyre, shfaqej edhe kryeministri Kurti. Madje edhe pa e pare atë skenë pata shkruar për mërzinë e tij. Ndonëse, ai interpretim ishte i njëanshëm. E në ato skena shihej qartë fytyra e tij e ngrysur. Dukej qehrevrar. I përhumbur në botën e tij. Dhe i pushtuar nga një pikëllim i pashpjegueshëm. Që tregon për dëshpërimin e tij.
Mbase, kjo gjendje mund të jetë pasojë e presioneve që po kalon. Dhe dilemave vrastare që po i përjeton. Ka shpresuar se kur t’iu fletë diplomatëve ndërkombëtarë me terma filozofik, do të pranohet prej tyre si profet i rajonit, por e ka përjetuar peshën brutale të interesave “pragmatike”. Detyrimet e të parëve për t’i avancuar ato, më shumë, se sa pasionin për spekulacionin metafizik.
Retorika që dikur i ka ndihmuar për t’i mbushulluar ndjekësit e tij, tani e ka varësuar edhe më shumë, nga forca dhe pushtete që as nuk i ka imagjinuar. Dhe është bindur edhe për shkëlqimin dhe helmin që mbart kurora e pushtetit në të njëjtën kohë.
Ka ëndërruar ta bëjë historinë. Por, papritmas e ka parë vetën të “burgosur” brenda saj. I pafuqishëm për t’i ndërruar parametrat saj. E ka parë se historinë e kanë përfunduar të tjerët me aksionet e tyre heroike. Dhe se nuk i ka mbetur gjë tjetër por të adaptohet me këtë “fund”. Kurse detyra e tij tash është vetëm si t’i administrojë institucionet që dolën nga ai proces.
Mirëpo, edhe për ketë gjendje ka “terapi”. Alexandre Kojeve-it, thujase e kishte përjetuar këtë fat. Kishte qenë i mishëruar me mendimet e Hegelit. Madje e shkroi edhe librin “Introduction to the Reading of Hegel”. Por ky filozof, pas këtyre ligjeratave e kuptoi se nuk i ka mbetur tjetër mision në epokën e “fundit të historisë” pos t’i përkushtohet plotësisht jetës admistrative dhe burokratike. U bind se detyra e tij, tash e tutje, ishte si ta përsoste punën e tyre në shërbim të qytetarëve. Dhe ashtu bëri. U punësua si zyrtar në disa prej tyre.
Mbase duke e shfrytëzuar këtë shembull, Kurti mund ta tejkalojë gjendjen e tij “humneruese” ku ka rënë. Sepse ka shansin t’i kuptoj më mirë detyrat për të cilat është mandatuar. Dhe atëherë mund ta rifitojë kuptimin e humbur të ekzistencës së tij politike.
P.S.
Opinionet janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.