03-12-2024

Kryeministri Kurti shkon në Drenicë në mesnatë, ja arsyeja

Kryeministri ka ateruar mbrëmë në aeroportin “Adem Jashari” pas vizitës në Rumani, ndërsa me të arritur në mesnatë, ka shkuar në Polac të Drenicës për të bërë homazhe në nderim të martirëve dhe dëshmorëve të rënë për liri.

“Pas aterimit në aeroportin “Adem Jashari”, u nisa për në Polac, për të shprehur nderimin më të thellë ndaj martirëve dhe dëshmorëve të rënë për liri.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial të martirëve në Polac, vizituam familjen e zonjës Nurije Kabashi Vojvoda, në Lagjen 3 të Skënderaj.
Më 7 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë, zonjës Nurije ia kanë vrarë të atin, Emin Kabashi 59 vjeç, dhe dy vëllëzërit, Islamin, 21 vjeç dhe Nehatin, 17 vjeç. Po ashtu, Nurijes ia kanë vrarë pak ditë më herët, më 4 prill 1999, edhe vajzën e axhës, Kumrije Kabashi, 24 vjeçare. Një ditë para se të mbushte 25 vjet.
25 vite pas, ne ishim në Polac për të kujtuar sakrificat për liri dhe betejën e vazhdueshme për drejtësi.
Përkujtimi i viktimave dhe dëshmorëve nuk është vetëm obligim moral, por edhe institucional, që të mos lejojmë kurrë që e vërteta të zbehet në harresë.
Kujtimi i tyre na udhëzon e frymëzon për të ardhmen, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë.
Lavdi për ata që dhanë jetën e tyre për çlirim e liri” shkruan Kurti në njoftim./IO/

 

Asnjë koment

Comments are closed.