24-11-2024

Kryeministri Kurti viziton fshatin Kuk të Opojës një ditë pas vërshimeve

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti viziton fshatin Kuk të Dragashit një ditë pas vërshimeve.
Reagim zyrtar nga Komuna e Dragashit rreth vërshimeve të djeshme në disa fshatra

Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit dhe më gjerë, Pas reshjeve të mëdha të shiut dhe breshërit nga ora 12:00 e ditës së sotme, si pasojë e bllokimit të urave dhe daljes së lumenjve nga shtrati, janë shkaktuar vërshime të mëdha të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, si në rrugë publike, shtëpi, ura, shtylla elektrike, biznese, kultura bujqësore, objekte blegtorale dhe dëme të tjera në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit, si dhe në mjete motorike, pajisje të ndryshme teknike etj.

Në bazë të informacioneve që kemi pranuar nga stafi komunal i cili është në terren, Njësia e Zjarrfikësve dhe qytetarët, më të dëmtuara janë fshatrat Kuk, Bresanë, Kosavë, Pllajnik, Zaplluxhe dhe Kuklibeg.Kryetari i Komunës dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike, si dhe stafi i Emergjencave, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme si dhe kanë njoftuar dhe kërkuar ndihmë si nga organet qendrore, ashtu dhe nga Komuna e Prizrenit. Gjithashtu, përveç mjeteve motorike si traktorëve, kamionëve dhe mjeteve të shërbimeve të Njësisë së Zjarrfikësve, kemi kontaktuar edhe biznese private të Komunës sonë, nga të cilët kemi kërkuar që të angazhojnë eskavatorët e tyre në fshatrat ku ka nevojë.Në këto momente kërkohet solidariteti dhe bashkëpunimi i të gjithë banorëve, në mënyrë që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht.

Andaj, apelojmë te të gjithë njerëzit dhe bizneset të cilët posedojnë mjete, që t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për të sanuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Edhe pse dëmet janë shumë të mëdha, falë Zotit deri më tani nuk kemi asnjë viktimë në njerëz apo ndonjë person të lënduar.Nga momenti i fillimit të vërshimeve deri më tani (pas orës 22:00), vendet e prekura më së shumti nga vërshimet janë duke i vizituar kryetari i Komunës, kryesuesja e Kuvendit, nënkryetari i Komunës, drejtori i Administratës, drejtori i Financave dhe drejtori i Shëndetësisë.Gjithashtu, në terren janë ekipet e Shërbimit të Zjarrfikjes, ekipet shëndetësore të QKMF-së dhe policia.Kryetari i Komunës, nesër do të mbajë mbledhje urgjente të Qeverisë Komunale dhe, sipas dispozitave ligjore për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, do të shpallë gjendjen adekuate, bazuar në situatën e krijuar pas vërshimeve.

Asnjë koment

Comments are closed.