Messi rikthehet te Argjentina, zyrtarizohet ftesa nga Scaloni
Ajo që u raportua të martën tashmë është zyrtare: Lionel Messi do të rikthehet te Argjentina për një ndeshje të veçantë lamtumire, pasi emri i tij është përfshirë në listën e të ftuarve nga përzgjedhësi Lionel Scaloni.
Superylli i Inter Miamit do ta veshë edhe një herë fanellën e Argjentinës, në një ndeshje që pritet të shënojë përshëndetjen e tij me kombëtaren.
Argjentina do të zhvillojë tri ndeshje miqësore, ndaj Bolivisë më 30 shtator, Burkina Fasos më 3 tetor dhe Beninit tri ditë më vonë. Pikërisht përballja me Beninin, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, pritet të jetë skena e lamtumirës së Messit para tifozëve argjentinas.
Messi kishte njoftuar më herët përmes një mesazhi të gjatë të shkruar me dorë dhe të publikuar në Instagram se po i jepte fund karrierës së tij ndërkombëtare. Kulmi i aventurës së tij me Argjentinën ishte triumfi në Kupën e Botës në Katar në vitin 2022.

Me kombëtaren, Messi ka fituar gjithashtu dy tituj të Kupës së Amerikës, në vitet 2021 dhe 2024.
Në total, 39-vjeçari ka zhvilluar 207 paraqitje me Argjentinën, duke shënuar 125 gola dhe duke dhuruar 68 asistime.

Tani, pas një epoke të artë me fanellën e “Albiceleste”, Messi do të ketë edhe një mundësi për t’u përshëndetur me tifozët e tij në stadiumin “Monumental”.

