Shpëtohet bjeshkatarja amerikane në Gjeravicë, humbi orientimin në mjegullën e dendur
Një bjeshkatare 61-vjeçare me shtetësi amerikane është shpëtuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës, pasi kishte humbur orientimin në zonën e Gjeravicës, për shkak të mjegullës së dendur dhe kushteve të këqija atmosferike.*
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka bërë të ditur se bjeshkatarja J.H. kishte kërkuar ndihmë përmes komunikimit satelitor Garmin inReach, ndërsa ndodhej në zonën e Kërshit të Bogiqës, në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas njoftimit, më 15 shtator, rreth orës 19:00, ShKShMK kishte pranuar thirrjen për ndihmë nga kolegët e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Shqipërisë, pas pranimit të një sinjali SOS nga zona e Gjeravicës.
Pas identifikimit të lokacionit, dy shpëtues kosovarë janë nisur drejt zonës dhe, pas rreth një ore, kanë arritur ta gjejnë bjeshkatarën në lartësinë 2 mijë e 316 metra mbi nivelin e detit.

Ajo ishte e ekspozuar ndaj temperaturave tejet të ulëta dhe shfaqte shenja të hipotermisë në fazën fillestare.
Shpëtuesit i kanë ofruar ndihmën e parë dhe më pas e kanë shoqëruar në mënyrë të sigurt deri në një bujtinë në fshatin turistik të Dobërdolit, në Shqipëri.
Operacioni është zhvilluar në koordinim me autoritetet përkatëse shqiptare, përfshirë Qendrën Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, Policinë Shqiptare, ShKShMAL dhe Qendrën e Mbështetjes së Garmin inReach.

