02-11-2024

‘Kryeqyteti historik’ nxit polemika e batuta në Kuvend

Një amendament i propozuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, për përfshirjen e Prizrenit në Ligjin për Kryeqytetin me epitetin “kryeqytet historik”, ka shkaktuar debate e batuta mes deputetëve.

Në votimin e këtij propozimi, 47 deputetë e mbështetën propozimin e Hasanit, 7 e kundërshtuan ndërsa 10 të tjerë abstenuan.

Paraprakisht, Hasani në arsyetimin e tij tha se Prizreni ka luajtur rol të madh në historinë e Kosovës dhe e ka pasur statusin e kryeqytetit në periudha të mëhershme historike.

Por kolegu i tij nga PDK, Bekim haxhiu, ia kontestoi idenë Hasanit.

Ai propozoi që epiteti “kryeqytet historik” me ligj duhet t’i jepet Prekazin.

“Ta vëjmë ligjin në shërbim të historisë e të mos bëjmë histori me ligje”, tha Haxhiu.

Pas tij, në debat ndërhyri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Kjo hyn në fushën e kreativitetit”, tha Veseli në shaka.

 

Më pas fjalën e mori deputeti që vjen nga Prizreni, Zafir Berisha nga NISMA.

“Unë kam kërku që Prizrreni të jetë kryeqytet, jo vetëm historik… Prizreni, me ligj apo pa ligj, është kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve”, tha Berisha.

Propozimin e kundërshtoi Muharrem Nitaj i AAK-së.

“Mos boni hajgare me kryeqytete historike. Nëse PZ është kryeqytet historik, nuk mund ta fusim në këtë ligj sepse është kundërkushtetuese”, tha Nitaj.

Edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, shprehur dyshime për këtë propozim.

“Nuk jam i sigurt që e ka vendin këtu, por nëse pajtohemi ta përfshijmë, e votojmë. Kemi mundur ta trajtojmë Prizrenin me ligj të veçantë”, tha Krasniqi.

Ismet Beqiri e kunërshtoi këtë propozim.

“Nëse projrektligji flet për Prishtinën, për kryeqytetin e Kosovës, nuk kontestohet në asnjë rrethanë edhe vlerësimi që Prizreni është kryeqytet historik. Por ky amandament lidhje nuk ka”, tha Beqiri.

Propozimi për Prizrenin u mbëhstet, ndërkohë, nga Rexhep Selimi i Vetëvendosjes.

“Jemi të shqetësuar më shumë se kur ka qenë Qendra Historike e Prizrenit. Po ju propozoj që të deklarohemi me votë dhe unë e deklaroj votën time ‘për’. Kërkoj që hidhet në votim. Prizreni e meriton të quhet me ligj si kryeqytet historik i shqiptarëve”, tha Selimi./kallxo.com/

 

Asnjë koment

Comments are closed.