Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Abrashi paralajmëron dorëheqjen, ja kush do ta zëvendësojë?

Kryesuesi aktual  i Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, Artan Abrashi, do të japë dorëheqje.

Pasi ka preferuar postin e deputetit më shumë se sa pozitën aktuale, të cilën e mban prej dy vitesh, ai do të jetë pjesë e Parlamentit të vendit.

“Po sot do ta paraqes dorëheqjen time”, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” Abrashi.

Ai është zgjedhur deputet, pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të tetorit fitoi votat e mjaftueshme.  Abrashi mban pozitën e kryesuesit të KK-së, në janar të vitit 2018, pasi Vetëvendosje mori pushtetin lokal në Prizren.

Abrashin do ta zëvendësojë bashkëpartiaku i tij, Muharrem Elezkurtaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas dorëheqjes së kryesuesit aktual, KK-së së Prizrenit i duhet ta zgjedh një drejtues të ri. Këtë post tashmë po e synon edhe opozita, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo pas daljes së Nismës nga koalicioni qeverisës, ku ka ndryshuar raporti i numrave në KK. Aktualisht numrat dalin kësisoj: PDK ka 11 vota,  AAK dhe Nisma nga 5, ndërsa si opozitë kanë shumicën e thjeshtë apo 21 nga 41 ulëset sa ka KK.

Nuk dihet ndërkaq, nëse kolegëve të tyre opozitar do t’u bashkohet edhe Sinan Aliaj nga Nisma i cili dy mbledhjet e fundit të KK-së, nuk përfilli vendimin e opozitës për braktisjen e seancave. /GazetaePrizrenit.net