Kryetari i federatës serbe për shortin e mundshëm me Shqipërinë në EURO 2024: Mos e bëjë Zot
Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Gjajiq ka folur për shortin e mundshëm të Serbisë në Evropianin 2024, duke e përmendur edhe Shqipërinë.
Shorti për fazën grupore të Euro 2024 do të hedhet më 2 dhjetor nga ora 18:00 në Hamburg, teksa Shqipëria tashmë e kualifikuar do t’i mësojë kundërshtarët e saj në grupe.
E teksa ka folur për shortin, presidenti i federates serbe të futbollit, Gjajiq tha të mos e “bëjë Zoti” përballjen me Shqipërinë.
“Të gjithë kemi të drejtë në dëshira. Por dëshirat janë një gjë e realiteti gjë tjetër. Kë do që e përcakton shorti do të jetë kundërshtar i vështirë. Nuk mund të them tani që vetëm mos ta kemi Gjermaninë, Spanjën, Francën”, ka thënë Gjajiq për mediumin serb “sportal”. “Janë të vështirë, por të vështira janë edhe Rumania, mos e bëjë Zot, Shqipëria… Të gjitha këto mund të na shkaktojnë një problem të caktuar. Ne duhet të vlerësojmë sukseset tona dhe lojtarët, por mos të nënçmojmë. Duhet të jemi real që të bëjmë hapin para”, ka shtuar Gjajiq. /GazetaSinjaliSport/