Kryetari i Prizrenit kundër futjes së lumenjve në tuba
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të hënën ka përsëritur qëndrimin kundër ndaj planeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardhin e Prizrenit.
Sipas tij, Komuna e Prizrenit tashmë është mobilizuar në kundërshtimin e varrosjes së lumenjve në tuba. Ai ka shtuar se bashkë me banorët e fshatrave të Luginës së Lumbardhit është zotuar për mbrojtjen e bukurive të Kosovës, me të gjitha mjetet në dispozicion, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në të njëjtën kohë ka shprehur bindjen se këto hidrocentrale janë duke u bërë me shkelje të shumta ligjore dhe pa analiza të mirëfillta ujore dhe mjedisore.
Haskuka ka theksuar se qëndrimi i partisë së tij, organeve komunale të Prizrenit dhe banorëve përkatës është kundër varrosjes së lumenjve në tuba.
“Hidrocentralet nuk kalojnë!”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.
Në mesin e muajit qershor të këtij viti, vendimmarrës të nivelit lokal e qendror sikurse edhe përfaqësues të fshatrave të Luginës së Lumbardhit (Zhupës) patën nënshkruar një deklaratë, me të cilën kërkohej nga organet kompetente që të anulojnë ndërtimin e hidrocentraleve në këtë trevë.