24-11-2024

Kthehet prapa vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për koncesion të pronës komunale

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka kthyer për rishqyrtim vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit mbi hyrjen në koncesion të pronës komunale. Në kërkesën e nivelit qendror për rishqyrtim të ligjshmërisë së këtij vendimi, që ishte miratuar muajin e kaluar nga KK-ja e Prizrenit, është theksuar se akti i Komunës është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në shkresën e MAPL-së, që është dërguar në adresë të kryetarit Mytaher Haskuka dhe kryesuesit të KK-së, Artan Abrashi është sqaruar se në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale kjo ministri ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë së vendimit përkatës mbi hyrjen në koncesion të pronës komunale, i miratuar nga KK-ja e Prizrenit me datë 11 nëntor 2019, shkruan sot Koha Ditore.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të Komunës si më sipër, vlerëson se akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në këtë shkresë.

Në vijim është theksuar se vendimi i KK-së së Prizrenit bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, sikurse edhe të Ligjit për Partneritet Publiko- Privat. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Asnjë koment

Comments are closed.