12-10-2024

Ku janë e çfarë bëjnë ish-kryetarët e Prizrenit?

Pas luftës, Prizreni ka pasur tre kryetarë të komunës. Karakteristikë e përbashkët e tyre është se ata kanë gradën doktor shkence dhe që të tre kanë punuar edhe si mësimdhënës, ndonëse në profile të ndryshme mësimore, shkruan portali “gazetaeprizrenit.net”.

Dy prej tyre Kadri Kryeziu dhe Eqrem Kryeziu, pos mbiemrit të njëjtë kanë edhe prejardhjen nga i njëjti fshat, Pagarusha e Malishevës, ndërsa në pushtet patën ardhur njëri pas tjetrit.

Kryetari i tretë me radhë, por i pari që është zgjedhur drejtpërdrejt me votën e qytetarëve ishte Ramadan Muja. Ndonëse kishte prejardhje nga Zhuri, ai disa herë ka përsëritur se është me origjinë nga Hasi, përkatësisht nga fshati Kishaj. Ai që është edhe më i vjetri për nga mosha,  ka pasur edhe kohëzgjatjen më madhe në postin e tij, të cilin e ka mbajtur në tri mandate radhazi, për 10 vjet. E. Kryeziu dhe Muja janë fqinj dhe banojnë në lagjen “Ortakoll”.

Se ku janë e çfarë bëjnë tash ish-kryetarët e komunës, “gazetaeprizrenit.net” përshkruan disa nga karakteristikat kryesore.

Prof. Dr. Kadri Kryeziu, kryetar gjatë periudhës 1999-2000, i emëruar nga Qeveria e Përkohshme,  e pas kësaj zëvendësministër, anëtar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Aktualisht është profesor universitar dhe Prorektor i Universitetit publik “Ukshin Hoti” në Prizren. Herë pas herë paraqitet në media, ndërsa në rrjetet sociale nuk është aktiv.  Ai merr pjesë në solemnitetet e Komunës, ku prezantohet si Prorektor.

Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, kryetar gjatë periudhës 2000-2007. Ka qenë nënkryetar i Kuvendit  të Kosovës, deputet, anëtar i Komisionit hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Tani është në pension, nuk është aktiv në LDK dhe nuk merr pjesë në solemnitete të komunës. Ai rrallë paraqitet në media, por është aktiv në rrjetet sociale.

Në rekreacion është i rregullt, shëtit nëpër parkun e qytetit, shumicën e herëve i vetëm.

Prof. Dr. Ramadan Muja, kryetar nga fundi i 2007-tës deri në fund të 2017-tës. Në zgjedhjet lokale vjeshtën që shkoi nuk garoi për të rimarrë pozitën për kryetar.

Tash është në pension. Me rastin e Ditës së Çlirimit të Prizrenit u pa me anëtarët e partisë së tij, PDK, në homazhe për dëshmorët. Nuk merr pjesë në solemnitetet e komunës.

Procesin gjyqësor i cili po vazhdon prej shumë vitesh e ka të papërfunduar. Në media nuk paraqitet. Ecjen në natyrë e ka pasion, kryesisht shihet në shtegun nga Marashi në Kala.

Ndonëse kanë qenë drejtuesit më të lartë të Prizrenit, madje Muja për një dekadë, ata sot nuk kanë ndonjë foto në Kuvendin e Komunës (KK).

Drejtuesit aktual të pushtetit komunal duhet që fotografitë e ish-kryetarëve të pas luftës t’i vendosin në hollin e KK-së, pasi kështu do të krijohet një traditë e mirë, si cilësi e qytetërimit. /gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.