19-05-2024

Kundërshtohet amnistia për veteranët ‘mashtrues

Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që çështja e statusit të veteranëve ta kthehet në pikën zero.

Drejtuesit e kësaj organizate thonë se kjo duhet të bëhet në mënyrë që të sqarohet gjithçka dhe të hiqen dyshimet për veteranët ‘mashtrues’.

Kryetari i Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha për Radion Evropa e Lirë, tash nga gjendja e krijuar, më e mira e mundshme tash është që procesi për verifikimin e veteranëve të bëhet edhe një herë nga e para.

“Veteranët nuk kanë nevojë të aplikojnë prapë, sepse aplikacionet janë brenda dhe ato janë pranë Zyrës së Kryeministrit dhe ne mund të punojmë. Nëse bëhet Ligji për amnisti është një kohë që do të jept 60 apo 90 ditë, që të dorëzohen certifikata nga ata të cilët nuk e ndjejnë veten veteranë dhe që kanë gabuar që kanë aplikuar. Është mirë që të dorëzohen ato certifikata dhe në momentin që dorëzohen ato certifikata, ata hiqen nga listat dhe ne na mbetet shumë më pak punë për të ardhur deri te numri i saktë i veteranëve”, tha Gucati.

Ai tha se është kërkuar nga institucionet e Kosovës që të behet një Ligji për amnisti për ata persona të dyshuar ‘mashtrues’, dhe siç tha ai, deri tani për këtë çështje e kanë mbështetjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë mendoj se me vullnetin e mirë dhe punën që do të bëjnë institucionet e Kosovës, kjo çështja do të zgjidhet shumë shpejt”, tha ai.

Për propozimin e OVL-së është deklaruar edhe presidenti Thaçi, i cili tha se përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së i kanë kërkuan që ai të ushtrojë autoritetin e tij për të dërguar në rivlerësim këtë proces, “duke e thënë se kjo është e vetmja mundësi për tejkalimin e parregullsive të shumta”.

Gucati tha se është e vërtet dhe të gjithë e dinë se ka fryrje të listave të veteranëve.

Nga ana tjetër, në Qeverinë e Kosovës thotë se është e pamundur që procesi i statusit të veteranëve të kthehet në piken zero. Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Gazmend Syla, njëherësh drejtor i Zyrës për kategoritë e dala nga lufta, tha për Radion Evropa e Lirë se përderisa ka një aktakuzë që është në dorën e drejtësisë, nuk mund të merret asnjë vendim tjetër. Sipas tij, tani gjykata e ka në pronësi gjithë dosjen.

“Pa marrë një vendim ata [gjykata], ne nuk mund ta precizojmë diçka se çka do të ndodhë më tutje. Do të thotë, ne presim një vendim të gjykatës, pastaj pas atij vendimi të gjykatës të shohim çka do të ndodhë më tutje. Por, për momentin neve po presim që gjykata të kryejë punët e veta dhe nuk do të ndërhyjmë në drejtësi asnjëherë”, tha Syla.

Asnjë koment

Comments are closed.