Kur pritet të pranojnë detyrën kryetarët e rinj të komunave?
Më 14 nëntor u vendos se cila parti politike do të udhëheq në cilën komunë të Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në nëntë komuna. Vetëm Lista Serbe ka më shumë komuna të fituara, gjithsej dhjetë.
Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar gjithsej shtatë komuna, dy në rundin e parë dhe pesë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
E kryetarët e rinj të dalë nga këto zgjedhje pritet që të marrin detyrën brenda një muaji nga çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një prononcim për IndeksOnline ka bërë të ditur se janë numëruar të gjitha votat me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.
Ai tha se po presin konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur.
“Në proces është shpallja dhe certifikimi i rezultatit përfundimtar të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 21 Komunave që u mbajtën më 14 nëntor.
Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të një procesi zgjedhor, kjo bëhet nga KQZ-ja pasi të bëhet numërimi i votave nga jashtë Kosovës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht; si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur. Pas përmbylljes së këtyre proceseve të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, tha Elezi.
Kurse, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në një përgjigje për IndeksOnline treguan procedurat e pranimit të detyrës nga Kryetarët Komunave të zgjedhur në zgjedhjet lokale të mbajtura me 14 Nëntor 2021.
Nga ky institucion theksuan se MAPL, është e gatshme të ofrojë përkrahje dhe ndihmën e nevojshme, për zbatimin e plotë të obligimeve që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm për vetëqeverisje lokale në Republikën e Kosovës.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përputhje me mandatin e saj të përcaktuar me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, shtojcën I, pika 9 të Rregullores (QRK) – Nr. 02/2021 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, pas shqyrtimit të kërkesës sqaron se:
Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe çertifikimit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Komunës është i obliguar të mbajë mbledhje solemne në të cilën anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Komunës, nënshkruajnë deklaratën nën betim siç përcaktohet me nenin 35, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale.
Kryetari i Komunës në rastin e zgjedhjes e jep betimin ose deklaratën solemne para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, brenda një (1) muaji nga çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Kuvendi i Komunës i dalur nga zgjedhjet e 14 nëntorit 2021, është i obliguar të mbajë mbledhje solemne në të cilën Kryetari i Komunës mund të jep betimin siç përcaktohet me nenin 57, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale”, thanë nga zyra e komunikimit për media në MAPL.
Vlen të theksohet se dalja e popullsisë në zgjedhje ishte 37.85%./IndeksOnline/