16-04-2024

Kurti bën iftar me të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjinoc

Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, kryeministri Albin Kurti, sonte është bashkuar për iftar me të moshuarit në Shtëpinë e të Moshuarve, në Gjinoc të Komunës së Suharekës.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se Kurti shprehu kënaqësinë që ishte sonte aty, duke iu dëshiruar të gjithë atyre që janë agjërueshëm, “agjërim të lehtë, me urimin që Zoti t’u japë forcë, besim, shpresë e mirëqenie”.

“Ky është një muaj kur i kthehemi vlerave shpirtërore, kur e shtojmë solidaritetin me njëri-tjetrin e për njëri tjetrin, dhe me besimin në zemër dhe përkushtimin shpirtëror ndihmojmë të tjerët edhe veten tonë, për qetësi shpirtërore e për besim për të ardhmen në Zotin dhe gjithashtu në dashurinë për njerëzit, që është e domosdoshme për jetë të mirë e të dinjitetshme”, u shpreh Kurti.

Teksa vlerësoi kontributin e tyre në shoqëri, në familjet e tyre, ai tha se është e domosdoshme që tash ne sado pak të përpiqemi të jemi pranë të moshuarve për nevojat lidhur me shëndetin dhe mirëqenien.

Me këtë rast Kryeministri falënderoi edhe bamirësin Halil Kastrati për punën që po e bën.

Në librin e përshtypjeve, kryeministrit shtoi se ishte kënaqësi të jetë dëshmitar dhe përjetues i dashamirësisë së kësaj shtëpie të të moshuarve, me kujdesin profesional dhe zemërgjerësinë humane.

Në këtë iftar, kryeministri shoqërohej nga zëvendësministri Hysen Durmishi si dhe deputetët Besim Muzaqi, Nijazi Isaku dhe Jetmire Vrenezi.

Asnjë koment

Comments are closed.