“Politika e jashtme është ajo që do të duhej të na bashkojë. Prezantimi sa më i denjë i Republikës sonë e tejkalon secilin prej nesh. Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik në prezantimet e takimet që do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30, apo edhe në mbrëmje që të takohemi e të dakordohemi së bashku për temat e për qëndrimet tona”, thuhet, mes të tjerash, në letrën e Kurtit drejtuar Thaçit, të enjten.
Por Presidenca nëpërmjet një kumtese për media ka njoftuar se Thaçi tashmë ka udhëtuar për në Gjermani.
“Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera, edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me ndihmës-sekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftim. Aty më tej shkruan se presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë- Serbi, ambasadorin Richard Grenell. /Koha.net