Kurti e refuzon sërish Thaçin: Nuk mund të vij as sonte
Lideri i LVV-së, Albin Kurti i ka bërë të ditur se sot nuk mund të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, raporton Gazeta Express.
Përmes një letre që Kurti ia ka dërguar Thaçit, e që është shpërndarë edhe në faqen e LVV-së në Facebook, i pari i Vetëvendosjes e ka falenderuar për dy ftesat presidentin, duke e kritikuar atë që fillimisht i kishte përcjellë letrat te mediat, para se t’ia dërgonte atij.
“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte”, ka thënë Albin Kurti.
Lideri i LVV-së tutje ka shtuar se për t’u konsultuar për mandatarin do të takohen ditëve në vijim.
Thaçi e ka ftuar sot dy herë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë. Takimi ishte paraparë të mbahej në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës.
Kurti megjithatë e ka refuzuar këtë ftesë me arsyetimin se nuk ndodhet në Prishtinë. Ftesa e dytë ishte bërë për në orën 20:00./GazetaExpress