14-12-2024

Kurti nga fshati Varagë ku ndodhi sulmi terrorist: Kriminelët do të përballen me drejtësinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku ka ndodhur shpërthimi i mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit.

Gjatë kësaj vizite, ai u shoqërua edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, si dhe Kryeshefi Ekzekutiv i “Ibër Lepencit”, Faruk Mujka.

Mes tjerash, kryeministri ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit.

Postimi i plotë:

Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht cënimin e sigurisë kombëtare dhe defunksionalizimin e jetës normale në vendin tonë.

Falë punës së jashtëzakonshme të institucioneve, inxhinierëve dhe punëtorëve të ndërrmarrjeve publike, u rikthye në funksion kanali i Ibër Lepencit në kohë rekorde duke mundësuar furnizimin e KEK-ut me ujë. Për këtë u jemi shumë falënderues dhe mirënjohës për punën dhe angazhimin.

Sot së bashku me ministrin Sveçla, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Hoxha dhe Drejtorin e AKI-së, Ajeti dhe Kryeshefin Ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, Mujka ishim në fshatin Varagë të Zubin Potokut, tek kanali i dëmtuar nga shpërthimi i mbrëmshëm.

Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë. Në anën tjetër, institucionet tjera përkatëse janë duke bërë gjithçka çfarë është e mundur që të sigurohet uji i pijshëm, energjia elektrike e ngrohja.

Një falënderim të veçantë për qytetarët e vendit për mbështetjen, solidaritetin dhe maturinë e treguar.

Asnjë koment

Comments are closed.