14-12-2024

KEK: Furnizimi me energjinë elektrike është stabil, kemi siguruar 150 megavat nga Shqipëria

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftoi se furnizimi me energji elektrike në të gjithë vendin është stabil, pavarësisht shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Njoftimi i plotë:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, pas marrjes së njoftimit për sulmin terrorist në kanalin e Iber Lepencit, nga ku furnizohet Termocentrali (TC) Kosova B, janë ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

• KEK, Ministria e Ekonomisë (ME), dhe Njësita për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Lexo edhe:

Prizren: Reagime të ashpra për mungesën e ngrohjes në Shtëpinë e Kulturës, përkundër riparimit dyvjeçar të kushtueshëm

• Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit.

• Po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Iber Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve.

• KRU Prishtina kanë njoftuar se kapacitetet e destinuara nga ky kanal për Mitrovicën dhe Prishtinën mund të sigurohen nga burime të tjera, duke na siguruar që kapaciteti prej Iber Lepenci do të shfrytëzohet vetëm nga KEK.

• Iber Lepenci ka vendosur gjashtë gypa (me diameter 900mm) që mund të furnizojnë sasinë e nevojshme për funksionimin normal të dy njësive të TC Kosova B.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton gjithashtu se, përkundër situatës emergjente të krijuar nga sulmi terrorist në kanalin e Iber Lepencit, operimi i termocentraleve vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm.

KEK po vazhdon të operojë me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A, të cilat nuk janë prekur nga mungesa e ujit nga kanali. Po ashtu, në rast nevoje, KEK ka siguruar kapacitetin prej 150 MW nga KESH, i cili do të shfrytëzohet për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike.

Korporata Energjetike e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, po vazhdon angazhimet për normalizimin e gjendjes, duke përfshirë edhe institucionet e tjera përkatëse. Të gjitha palët janë të angazhuara në koordinim të ngushtë dhe po punojnë pa ndërprerje për të minimizuar ndikimet dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me ujë për TC Kosova B dhe me energji elektrike për qytetarët dhe sektorët e tjerë të rëndësishëm.

KEK dhe Ministria e Ekonomisë po mbajnë komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e tjera institucionale dhe sigurojnë mbështetje të plotë dhe koordinim të shpejtë në çdo fazë të këtij procesi.

Asnjë koment

Comments are closed.