24-11-2024

Kurti pret ekipin olimpik: Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, tani është realitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikur dukeshin të pamundura fitoret e Kosovës përballë fuqive të mëdha në sport, por sot kjo është realitet.

Të martën në sheshin “Xhorxh Bush”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një pritje për ekipin olimpik të Kosovës, që ka përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Kurti gjatë fjalës së tij ka shprehur krenari dhe gëzim për arritjet e ekipit kosovar. Ai ka përgëzuar sportistët duke iu uruar mirëseardhje në shtëpinë e tyre.

“Ekipi ynë i xhudos arriti ta mbajë traditën tonë si shtet për të fituar medalje olmpike në secilën olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash. Në emër të të gjithë qytetarëve, kam nderin t’iu përgëzoj dhe t’iu uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj”.

“Ky vend të cilin e bëtë krenar, do ta mbajë gjithmonë rrugën tuaj të hapur për të shkuar drejt sukseseve. Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, por tani ky është realitet. I gjithë ekipi olimpik vazhdoni të punoni, sepse ëndrrat e mira asnjëherë nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.

Ekipi i Kosovës këto ditë është kthyer nga Parisi, ku ishin pjesëmarrës në Lojërat Olimpike.

Me vete kanë sjellë edhe dy medalje. Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë e Laura Faziu atë të bronztën.

 

Asnjë koment

Comments are closed.