Kurti: Vendosja e ambasadës në Jerusalem do të shqyrtohet, marrëdhëniet me Izraelin janë të rëndësishme

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit, janë çështje të rëndësishme për vendin.

Në një takim me ambasadorin e Turqisë, Çagri Sakar, Kurti ka deklaruar se vendndodhja e ambasadës është çështje që do të shqyrtohet.

“Rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Në këtë njoftim të VV-së thuhet se ambasadori Sakar ka uruar Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar se Turqia është e interesuar të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme.

“Kryeministri në ardhje, Kurti e informoi Ambasadorin për prioritetet e qeverisë së tij dhe potencoi se në raport me Turqinë do të fokusohemi në shtimin e marrëdhënieve tona bilaterale, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik”, thuhet tutje.