07-10-2024

Kush harxhon më shumë për muzikën në dasma, hasjanët e Kosovës apo të Shqipërisë?

Tashmë kur është në mbyllje sezoni i dasmave, nëpër rrjete sociale publikohen video-xhirime të ceremonive të gëzimit. Në anën tjetër paraqiten edhe  xhirime nga hedhja e parave për ata që argëtojnë mysafirët nëpër këto ceremoni. Por derisa ritet nuk ndërrojnë shumë në mes të Kosovës e Shqipërisë, ka dallime sa i përket parave që hedhin mysafirët në dasma për muzikantët.

Hasjanët që janë të ndarë në dy shtete, në Shqipëri e Kosovë kanë shumë të përbashkëta në organizmin e dasmave, tash së fundi edhe me shkuarjen e dhëndrit për marrjen e nuses, siç veprohej prej kohësh në Shqipëri, ata dallojnë shumë sa i përket parave që i dhurojnë grupit muzikor, shkruan sot  “GazetaePrizrenit.net”.

Ndonëse hasjanët e Kosovës njihen për shpenzime të mëdha gjatë organizimeve të dasmave,  të cilat i bëjnë deri në katër “akte”, duke nisur nga dita e Grishjes (Përhajra e dasmës), Nata e gatimit të kulaçit, Dita e marrjes së nuses dhe në fund organizimi modern i dasmës në restorant ( Banketi), ku ka ndodhur të marrin pjesë deri në 700 persona, mysafirët nuk hedhin aq shumë para për muzikën sa hasjanët përtej Pashtrikut.

Megjithatë edhe hasjanët e Kosovës shpenzojnë bukur shumë para për muzikën. Ata shpesh angazhojnë këngëtarë nga më të njohurit në dasma, si Xenin, Bajram Gigollin,  Afrim Muqiqin,  Ylli Demajn, duetin Shyhrete Behluli e Mahmut Ferati, etj. Varësisht nga grupi muzikor çmimet për një banket lëvizin nga 2.000 deri në 4.500 euro.

Marrë në tërësi nëse lodrat, çmimi i të cilave për ditën e Grishjes, sillet nga 250-400 euro, një digjej (dj) për natën e kulaçit kushton nga 150 deri në 250 euro, pastaj lodrat sërish për ditën e dasmës  (marrjes së nuses) 300-400 euro, si dhe muzika për banketin që mbahet në restorant, i bie që vetëm për muzikën në Hasin e Kosovës të shpenzohen nga 2.000 deri në 6.000 euro, pa llogaritur këtu edhe dhuratat e të zotit të dasmës,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Megjithatë një video -xhirim i bërë kohë më parë në Hasin e Shqipërisë, tregon një rekord të hedhjes në dysheme të parave për muzikën , të cilat nuk i zë as valixhja.

Asnjë koment

Comments are closed.