Kuvendari i LDK-së, Hoxhaj kritikon Haskukën se po nënçmon jo vetëm qytetarët, por të gjithë ata që votuan për ndryshim
Punësimi i personave nga komunat tjera në Komunën e Prizrenit, ka nxitur reagime jo vetëm të anëtarëve të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit nga opozita, por edhe të atyre, partia e të cilëve është në koalicionin qeverisës, të cilin përmes Mytaher Haskukës e udhëheq Vetëvendosja!
Pas reagimit të AAK-së në Prizren për punësimin e Jetmire Vrenezit (anëtare e Vetëvendosjes) nga Malisheva në Komunën e Prizrenit, një reagim të tillë e ka bërë edhe kuvendari i LDK-së, Petrit Hoxhaj, që përmes një postimi me dokumentin që dëshmon përzgjedhjen e Vrenezit, ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prizrenit, Haskuka, për siç ka shkruar nënçmim të votuesit dhe qytetarëve të Prizrenit.
Ja shkrimi i tij në ‘facebook’:
“Kryetari Mytaher Haskuka po i nënçmon qytetarët e Prizrenit, po i nënçmon të gjithë ata që ia dhanë votën për ndryshim.
Unë personalisht mendoj se kryetari Haskuka po bënë gabim kur po punëson banorë të Komunave të tjera në Komunën e Prizrenit .
Me këtë veprim kryetari po i nënçmon prizrenasit, sepse Prizreni ka njerëz të këtij profili.
Prizreni ka arkitektë, inxhinierë, juristë, ekonomistë dhe të gjitha profilet tjera që munden me i shërby Komunës së vetë.
Punësimi i fundit nuk është rasti i parë, sepse ka edhe të tjera…
Unë personalisht mendoj se duhet të ndryshohet kjo qasje sepse po nënçmohen jo vetëm qytetarët e Prizrenit, por të gjithë votuesit që votën e tyre e dhanë për ndryshim”.