16-04-2021

Kuvendi i Prizrenit s’e miraton huamarrjen nga BERZH-i, Haskuka përplaset me kuvendarët

Asambleistët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në seancën e fundit të këtij organi me shumicë votash nuk e kanë miratuar propozim-vendimin për huamarrje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kuvendarët e opozitës, që përbëjnë shumicën, kanë theksuar se Ekzekutivi lokal nuk po mund ta realizojë buxhetin e votuar dhe se me këtë kredi Komuna futet në borxh. Për mos miratimin e vendimit ka reaguar në rrjete sociale kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, duke akuzuar edhe disa këshilltarë nga radhët e LVV-së për koordinim me partitë opozitare për sabotimin e projekteve të Ekzekutivit. Pas kësaj, grupi i kuvendarëve të LVV-së ka reaguar duke e quajtur reagimin e Haskukës të turpshëm dhe kanë paralajmëruar përballje në organet e partisë.

për marrjen e huas në vlerë prej 5 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në seancën e dytë të KK-së, është prezantuar nga drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti. Sipas saj, këto mjete parashihet që të përdoren për renovimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike të Komunës së Prizrenit. “Synimi i projektit është që të bëhet një program i besueshëm dhe i përballueshëm në renovimin e energjisë për ndërtesat publike në komunën tonë”, ka thënë ajo, duke sqaruar më tej se janë përzgjedhur 100 ndërtesa për këtë investim. Sipas saj, huamarrja është e nevojshme ngase me të projekti në fjalë realizohet për 2 vite.

Por Shukri Quni nga Nisma Socialdemokrate ka theksuar se Kuvendi i Komunës në tri vite të shkuara ka votuar buxhete që kanë shkuar në vlerën rreth 50 milionë euro për vit, nga të cilat pastaj kanë shkuar në suficit nga 5, 6 apo 7 milionë euro. “Komuna nuk ka qenë në gjendje me t’i menaxhoj ato mjete, ndërsa tani të kërkohet me marrë kredi prej BERZH-i që duhet të paguhet kamata, nuk po e shoh të udhës”, ka thënë ai.

Haziz Hodaj i LDK-së ka shprehur qëndrimin se për këtë projekt duhet të jetë edhe një Ekzekutiv efikas. “Keni performancë të dobët sepse nuk po mundeni me realizua as buxhetin që e keni në dispozicion”, ka thënë Hodaj, duke shtuar se Komuna e Prizrenit nuk ka përfituar grante të performancës pikërisht për shkak të mospërmbushjes së kritereve. “Ne nuk jemi të gatshëm ta votojmë një huamarrje kur kemi performancë kaq të ulët”, ka deklaruar ai.

Ilir Baldedaj i AAK-së ka theksuar se nuk është në rregull që Komuna e Prizrenit të futet në borxhe për shumë vite, për efiçiencë të energjisë. Sipas tij mirëqenia e qytetarëve është më prioritare se efiçienca e energjisë. “Ne i mbështesim kreditë e buta për funksionalizim të zonës ekonomike, për hapjen e vendeve të reja të punës, sepse në këto rrethana ky është prioritet për qytetarët”, ka thënë ai.

Edhe Simir Krasniqi i PDK-së ka theksuar se kjo parti nuk e mbështet këtë vendim, pasi që suficiti nga buxheti komunal është mbi 5 milion euro. “Nuk po më duket e arsyeshme komuna me hy në borxh”, ka shtuar ai.

Çerreti ka arsyetuar se projekti është i dobishëm, pasi që qëndrueshmëria e ndërtesave komunale rritet me investimet në saje të kredisë së BERZH-it.

Por shumica e kuvendarëve nuk janë bindur, dhe me 15 vota kundër, 8 për dhe 3 abstenime, propozim-vendimi nuk është miratuar.

Një gjë e tillë ka nxitur reagimin në rrjete sociale të kryetarit Mytaher Haskuka, i cili ka akuzuar kuvendarët se për inate politike “mohojnë rregullimin e 100 shkollave, qendrave të mjekësisë familjare dhe ndërtesave publike për qytetarët e Komunës së Prizrenit”. “Pas me shumë se 2 vite analizë, studim fizibiliteti dhe negocim, Komuna e Prizrenit ka arritur deri në një draft marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një grant dhe kredi afatgjate për efiçiencë të energjisë. Qëllimi i kredisë dhe i grantit ishte që të rregullohen rreth 100 ndërtesa publike në aspektin e efiçiencës së energjisë. Me këtë projekt, në Prizren, të gjitha ndërtesat do të kalonin në standarde më të larta evropiane në aspektin e efiçiencës së energjisë. Shumica e këtyre ndërtesave janë shkolla dhe Qendra të Mjekësisë Familjare, pra fëmijët tanë dhe qytetarët do të kishin ambiente të ngrohta dhe moderne ku arsimohen dhe marrin shërbime shëndetësore dhe komunale”, ka shkruar ai, duke shpjeguar se rreth 6,9 milionë euro do të investohej në rregullimin e fasadave dhe kulmeve për të kursyer energjinë, në ndërrimin e dritareve dhe dyerve, shtrimin e dyshemeve efiçiente si dhe instalimin e paneleve fotovoltaike për gjenerim të ujit të nxehtë dhe të energjisë elektrike.

“Kthimi i investimit do të ishte i menjëhershëm, ngase çdo vit do të kishim kursim në shpenzime komunale me rreth 63% dhe kursime në ngrohje rreth 59%. Por ja që niveli i këtyre asamblistëve është aq sa për të mohuar çdo projekti të dobishëm për Prizrenin”, është shprehur Haskuka. Në të njëjtën kohë ka adresuar kritika edhe për kuvendarët e partisë së tij. “Është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të Vetëvendosjes koordinohen me këta të PDK-së, LDK-së, NISMA-s dhe AAK-së, për sabotimin e projekteve qeveritare”, ka shkruar kryetari i Komunës.

Lidhur me pretendimet e fundit të Haskukës ka reaguar grupi i kuvendarëve të LVV-së, të cilët postimin e tij e kanë quajtur të papranueshëm.

Karanfil Haxhillari i LVV-së ka theksuar se akuza e kryetarit se gjoja disa kuvendarë të LVV-së koordinohen me opozitën për sabotim të projekteve është “komplet jashtë logjikës”.

Ai ka theksuar se për kanë votuar 8 kuvendarë dhe po të ishin edhe 3 kuvendarët e LVV-së përsëri nuk ka pasur mjaftueshëm vota për miratimin e vendimit.

“Për mungesën e numrave në Kuvend nuk ta kanë fajin as kuvendarët e LVV-së e as LVV-ja, pasi pa u konsultuar me ta i ke humbur numrat”, ka thënë Haxhillari, duke shtuar se gjatë gjithë mandatit kuvendarët e LVV-së i kanë votuar pikat e Ekzekutivit, ani pse nuk janë konsultuar asnjëherë.

“Për këtë akuzë turp të qoftë”, ka deklaruar Haxhillari, duke paralajmëruar trajtimin e saj edhe në organet e partisë.

Ndërkohë edhe kuvendaret Dafina Alishani e Mimoza Bushrani në rrjetet sociale kanë paraqitur arsyet e tyre të mungesës në seancë, që ndërlidhen me telashet personale shëndetësore përkatësisht të familjarëve.

“Akuzat për marrëveshje me parti të tjera nuk qëndrojnë fare”, është shprehur Alishani./koha,net

https://www.koha.net/kosove/260270/kuvendi-i-prizrenit-se-miraton-huamarrjen-nga-berzh-i-haskuka-perplaset-me-kuvendaret/

Asnjë koment

Comments are closed.