22-11-2024

Ky është dilleri i dro*gës i arrestuar në Gjakovë, u kap me mbi gjysmë kg mari*huanë

Një aksion i Njësisë së Antidrogës që u zhvillua të hënën në Gjakovë, rezultoi me arrestimin e dy personave të dyshuar, njëri për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve kurse tjetri për posedim të substancave të tilla. Gjatë operacionit u zhvilluan edhe bastisje, me ç’rast u sekuestrua një sasi e drogës, raporton Gazeta Sinjali.

Aksioni u krye në rrugën “Çamëria”, ku Policia i shkoi në shtëpi dillerit që dyshohej se po bënte shitjen e substancave narkotike.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në pranga të Policisë për shitblerje të drogës është Enver Llukaci, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Në shtëpinë e tij, Policia gjeti mbi gjysmë kg drogë, të llojit marihuanë, e ndarë në dhjetëra qese e paketime të ndryshme, që u konfiskuan bashkë me qindra euro para të gatshme.

I njëjti u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku u intervistua për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Llukaci u dërgua në mbajtje.

Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.