Ky është i paraburgosuri që e grushtoi gardianin në Qendrën e Paraburgimit
Arratisjet, përleshjet, kanosjet e droga janë raste goxha të shpeshta që raportohen në burgjet e Kosovës. Incidente të tilla po ndodhin pikërisht në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po krekoset se po udhëheq suksesshëm me ministrinë dhe ka rritur nivelin e sigurisë në burgje, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi sot për një rrahje që ka ndodhur në mëngjes në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali të Prishtinës, ku viktimë ishte një oficer korrektues, i cili u sulmua fizikisht nga një i paraburgosur
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari që e goditi gardianin është Armend Haziri, rreth 34-vjeçar, i cili ishte dërguar në këtë qendër para disa ditëve.
Sipas informacioneve të para, incidenti ndodhi gjatë shërbimit të ushqimit, ku viktima u përballë me të dyshuarin – i cili e grushtoi në fytyrë, thonë tutje të njëjtat burime.
Oficeri që ishte cak i sulmit ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Policia.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar hetimi ndaj të dyshuarit, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.