Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se Komunën e Prizrenit, vetëm për 6 muaj, e kanë vizituar më shumë delegacione se në 6 vitet e fundit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Në një postim në faqen e tij në “facebook”, ai ka shkruar se përkundër numrit rekord të vizitave të delegacioneve të ndryshme, pas bilancit 6 mujor, shpenzimet për akomodim dhe ushqim janë zvogëluar për katër herë.
“Prizrenin deri më tani e kanë vizituar delegacione komunale, deputetë dhe zyrtarë nga Berati, Amasja, Tirana, Edirneja, Kukësi, Kyjovi, Bejkozi, Presheva, Parisi, Berlini, Zagrebi, Stambolli, 12 prefektët e të gjitha qarqeve të Shqipërisë dhe të tjerë. Gjithashtu na kanë vizituar pothuajse të gjithë ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë. Nga kjo kategori, janë shpenzuar mjete edhe për organizimin e ngjarjeve të ndryshme kulturore dhe manifestimeve të ndryshme”, ka shkruar ai.
Kryetari ka sqaruar se sipas protokollit, delegacioneve që e vizitojnë Prizrenin, Komuna iu ofron akomodim dhe ushqim, por këto shpenzime duhen të jenë gjithmonë në suaza të mundësive tona. Kursimet e bëra në gjashtë muajt e parë, nga kjo kategori, do të destinohen në të mirë të zhvillimit të Komunës.