Projektet kapitale, peng i pronave komunale në Prizren

Mungesa e pronave po e sfidon Komunën e Prizrenit në realizimin e disa projekteve kapitale. Sipas drejtuesve të pushtetit lokal në Prizren, janë disa investime kapitale të planifikuara me ministritë e Qeverisë së Kosovës, por edhe me donatorët ndërkombëtarë, për të cilat duhet gjetur lokacione ndërtimi, pasi që pronat që i ka aktualisht Komuna janë të pamjaftueshme për realizimin e tyre.

Për këtë arsye zyrtarët e lartë komunalë kanë theksuar se do të punojnë me Qeverinë e Kosovës për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme, shkruan sot Koha Ditore.

“Një çështje problematike është se Komuna ka mungesë të pronave. Për shembull, për investimet kapitale që duhet të bëhen në bashkëpunim me ministritë e ndryshme, neve na mungojnë pronat për realizimin e tyre”, ka thënë kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka. Sipas tij, ndër këto projekte bëjnë pjesë planet për ndërtimin e shtëpisë së shëndetit mendor, të një poligoni sportiv dhe ndërtesa të tjera publike.