19-04-2024

LDK-ja akuzon VV-në për fushatë linçuese kundër SHBA-së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të dënojë aktivistët e saj të cilët po bëjnë fushatë linçuese kundër personaliteteve të SHBA-së.

LDK përmes një komunikate për media, thotë se e dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politikë apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve.

“Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme. Fryma e fushatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së. LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen p jesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb”, thuhet në komunikatën e LDK-së..

LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënojë këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj.

LDK-ja thotë se ShBA meriton respekt dhe falënderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj.

Asnjë koment

Comments are closed.