27-07-2024

LDK në Prizren kritika pushtetit për keqplanifikim projektesh, kërkon hetime ndaj qeverisë Totaj për keqpërdorim të taksave

LDK dega në Prizren, reagon ndaj bllokimit të pjesëshëm të rrugës kryesore “Ibrahim Rugova” në qytetin e Prizrenit.

Komunikata pa ndërhyrje

Ju kujtojmë se në vitin 2022, i gjithë rrethi unazor i qytetit që kap gjatësinë rreth 3 kilometra, ku përfshihet edhe kjo pjesë e rrugës, ishte shtruar me asfalt të ri. Shaqir Totaj dhe rrethi i tij, i thurrnin lavde dhe elozhe kësaj pune. Pa kaluar as 2 vite, e njejta rrugë bllokohet për vendosjen e gypave të kanalizimit. Për LDK- në, kjo qasje nuk ka emër tjetër pos keqmenagjim, keqplanifikim, abuzim dhe zhvatje të parasë publike.

Qytetarët e Prizrenit me të drejtë sot shtrojnë pyetjet: A nuk e kanë ditur para dy vitesh autoritetet komunale që aty duhet vendosur kanalizim i ri? A nuk ka komuna e Prizrenit inxhinierë, urbanistë dhe njerëz që marrin vesh në rrjetin infrastrukturor të qytetit?

A me kaq improvizime dhe eksperimente bëhen investimet publike, me taksat e qytetarëve të Prizrenit? Pse duhet qytetarët me taksat e tyre ta paguajnë dy herë të njejtën rrugë brenda dy viteve?!!

Këtyre pyetjeve i jep përgjigje vetëm logjika e abuzimit dhe e vjedhjes së taksave të qytetarëve. Logjika që përmes procedurave të prokurimit dhe tenderimit të shpeshtë që kanë për qëllim shtrimin dhe rishtrimin e rrugëve, vetëm dhe vetëm për të mundësuar zhvatje të parasë publike.

Për LDK kjo qasje është e papranueshme dhe duhet të jetë e dënueshme nga të gjithë dhe me theks të veçantë nga autoritetet kompetente.

LDK kërkon nga prokuroria themelore, të cilët nuk janë më larg se 10 metra nga vendi ku po zhvillohen këto punime, që të nisin hetimet sipas detyrës zyrtare, për mbrojtjen e taksave të qytetarëve dhe interesit publik.

LDK – Prizren

ZYRA PËR INFORMIM

Asnjë koment

Comments are closed.