30-04-2025

LDK refuzon ftesën e Kurtit, Bajrami: As Abdixhiku dhe askush nga ne nuk do të marrë pjesë në këtë takim 

Kreu i LVV, Albin Kurti, ka ftuar për një takim kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe atë të PDK-së Memli Krasniqin.

Takimi është caktuar të mbahet nesër me 1 maj, duke filluar nga ora 08:30.

“Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, ka shkruar Kurti në letër.

Por Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kësaj radhe refuzon ftesën e Kurtit për takim.

Deputetja nga radhët e LDK-së Hykmete Bajrami, ka thënë për Indeksonline se LDK ka marrë sot ftesën e Kurtit, por as Abdixhiku dhe as askush tjetër nga LDK-ja, nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

“Po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.