Deri më 1 mars, në ditëlindjen e saj të 85-të, Qena nuk qe ndier fare e vetmuar. Dashuria që kishte dhuruar pa kursim gjatë gjithë jetës po e rrethonte me praninë e familjarëve e miqve të shumtë.
“Është dëshirë e çdo artisti që të ‘vdesë’ në skenë. Lezja ishte me fat, sepse gjer në ditët e fundit të jetës ishte aktive dhe e dha kontributin e saj profesional”, ka thënë kompozitori Valton Beqiri.
Pasditen e së enjtes në homazhet para ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku ishte vendosur edhe arkivoli i bardhë brenda makinës mortore, Beqiri ishte në mesin e atyre që kishin dalë për t’i dhënë lamtumirën artistes jetëndërruar.
Numri i paktë i njerëzve në homazh, sipas Beqirit, nuk ngre peshë, sepse “Qena e ka respektin nga të gjithë pavarësisht pranisë fizike”. “Do ta kujtojmë si një aktore profesionale dhe të mishëruar me rolet e saj, por edhe si njeri optimist, të dashur dhe gjithmonëpozitiv”, ka shtuar Beqiri.
Kur ajo nisi karrierën, aktoret numëroheshin në gishta. Aktrimi gati tejkalonte vetveten e bëhej mision emancipues përballë paragjykimeve kulturore. /Shkrimin e plotë në Koha Ditore/