23-11-2024

Limaj dhe Shala përurojnë asfaltimin e Zonës Ekonomike në Suharekë

Zëvendëskryeministri në detyrë Fatmir Limaj dhe ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala kanë përuruar asfaltimin e Zonës Ekonomike në Suharekë, raporton Ekonomia Online.

Limaj tha se ky është shembulli më i mirë se si ndihmohen bizneset private. Sipas tij, kjo zonë po kthehet në boshtin e punësimit jo vetëm të Suharekës, por të gjithë regjionit.

“Është e disata herë që e vizitojë këtë park ekonomik të Suharekës me mbështet dhe me e kthyer në standardet qe kërkohet. Kur kemi qenë herën e parë parku ka qenë në një gjendje të keqe dhe kemi dhanë një premtim që do ta kompletojmë të gjithë infrastrukturën që i duhet kompanive këtu”.

“Këtu janë mbi 70 kompani të iniciativës private që ndalë ngadalë ky park po kthehet në boshtin e punësimit jo vetëm të Suharekës, por të gjithë regjionit”.

E veçantë e kësaj zone shtoi më tej Limaj është lidhja me autostradën.

“Tashmë këtu ka filluar faza e fundit e asfaltimit dhe e rëndësishme për këtë park është lidhja me autostradë. Ky park do të ketë të veçantë drejt daljes së autostradës në Suharekë pa pas nevojë që të guten në qytet kompanitë”.

“Unë e përgëzoj ministrin Shala i cili ka bërë një punë të shkëlqyer bashkë me kolegët e tij. Ky është shembulli më i mirë se si ndihmohen ndërmarrjet e vogla të mëdha dhe të mesme dhe kjo është politika jonë që ne ta shtrijmë dorën e shtetit dhe i kryejmë politikat tona”.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se në këtë zonë janë të vendosur mbi 70 biznese dhe janë investuar mbi 2.6 milionë euro, raporton EO.

“Unë sot së bashku me kryetarin Limaj dhe me të gjithë kandidatët për deputetë nga komuna e Suharekës jemi në vizitë te një zonë ekonomike e cila për dhjetë vite ka qenë e harruar nga dora e shtetit. Premtimi i kryetarit Limaj që ka dhënë para dy viteve tashmë është realizuar”.

“Dhe kjo zonë ekonomike nga tash është funksionale me gjithë infrastrukturën qe i nevojitet bizneseve  qe ta kenë më të lehtë për biznes. Jemi në një zonë ekonomike e cila është 160 hektar ku janë të vendosura mbi 70 biznese dhe me një investim mbi 2.6 milionë euro nga Ministria e Tregtisë”./eo

Asnjë koment

Comments are closed.