Lionel Messi e thyen rekordin e Peles
Lionel Messi e ka thyer rekordin e legjendës braziliane Pele për më së shumti gola të shënuara për një klub të vetëm, pasi e shënoi golin e 644-të në karrierë për Barcelonën të martën kundër Real Valladolidit.
Ikona braziliane i kishte shënuar 643 gola për Santos në karrierën e tij, një shifër që deri sot dukej e paarritshme – por Messi vendosi rekord të ri duke e shënuar një gol në fitoren e Barçës kundër Valladolidit në La Liga, transmeton Gazeta Express.
Kur skuadra e Ronald Koeman ishte duke fituar 2:0, Pedri i dha Messit një pasim të mrekullueshëm me thembër dhe 33-vjeçari e mposhti Jordi Masipin me një goditje të saktë për ta çuar në 3:0 epërsinë e skuadrës së vet.
Messi e kishte barazuar rekordin e Peles në fundjavë, kur kishte shënuar në barazimin e Barcelonës 2:2 me Valencian.
Pele i shënoi 643 gola gjatë 19 sezoneve për ekipin e atdheut të vet Santos nga viti 1956 deri më 1974.
Messit, i cili e shënoi golin e parë për Barçën në vitin 2005 dhe që prej atëherë i ka fituar 10 tituj në La Liga dhe katër trofe në Ligën e Kampionëve, i mbaron kontrata në fund të këtij sezoni dhe është i lirë të bisedojë me klubet e tjera nga janari. /Gazeta Express/