19-05-2024

Liria në krizë të thellë të rezultateve: Haskuka numëron ‘sukseset’ e klubit

Liria është një ndër klubet më të mëdha të futbollit të Kosovës.

Skuadra prizrenase është në krizë të madhe sa i përket rezultateve pozitive krahasuar me vitin paraprak.

Por, kjo nuk e ka dekurajuar kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskukën, i cili beson në sukseset e klubit bardhezinj.

Ai përmes llogarisë personale në Facebook, ka renditur një varg suksesesh që kanë arritur “Arpagjik’t” pas një takimi me kryetarin e klubit, Ilijaz Ilijazin.

Sipas të parit të qytetit, sukses është që Liria ka në radhët e veta ka më shumë lojtarë vendas se sa të transferuar, sukses tjetër e sheh mënyrën e pagesave të lojtarëve, gjithashtu funksionalizimin e shkollës së futbollit dhe  disa të ‘arritura’ të tjera.

Postimi i plotë i Haskukës:

Rrugëtimi i drejtë shpeshherë nis me vështirësi të mëdha. I tillë është edhe rrugëtimi i Lirisë. Rezultatet jo të mira të këtij stinori, nuk duhet të sjellin dëshpërim, por përkundrazi, duhet të jenë shkas për më shumë punë e përkushtim.

Klubi i Lirisë më herët ka pasur 14 futbollistë të huaj, ndërsa sot, 22 prej 27 futbollistëve janë të komunës së Prizrenit. Ky është një zhvillim shumë i mirë në aspektin e përkrahjes së lojtarëve vendorë.

Liria në krizë të rezultateve, lojtarët dalin kundër trajnerit

Vështirësitë e ndryshme, qofshin ato sportive apo financiare, doemos do të tejkalohen në qoftë se punohet në mënyrë të drejtë dhe për të mirën e sportit, e në veçanti nëse punohet me grupmoshat e reja, dhe këtë e premtoi edhe kryetari i klubit, Iljaz Iljazi, nga takimi që patëm.

Në aspektin e menaxhimit, Liria ka avancuar në shumë drejtime, duke përfshirë punën me shkollën e futbollit, mënyrën e pagesës së lojtarëve dhe të stafit, mënyrën e shfrytëzimit të stadiumit, respektimin e kontratave dhe të obligimeve që i takojnë klubit etj. Por ky është vetëm fillimi dhe duhet ende shumë punë, që të përmirësohemi për të arritur rezultatet e dëshiruara.

Unë besoj fuqishëm në këtë klub dhe jam i bindur që frytet e kësaj pune do të vijnë shumë shpejtë. Liria dhe qyteti i Prizrenit meritojnë të kenë kupa. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.