26-11-2024

Lirohet nga paraburgimi Enver Sekiraqa

Prishtinë – I akuzuari për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, Enver Sekiraqa është liruar nga masa e paraburgimit dhe të njëjtit kjo masë i është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak.

Këtë për “Betimi për Drejtësi”, e ka bërë të ditur mbrojtësja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi.

Këtë kërkesë, Kelmendi e kishte bërë gjatë seancës së 7 tetorit 2021, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mund të jetë një imazh i 1 person

Ajo kishte deklaruar se familja e Sekiraqës ofron gjashtë prona hipotekë si garanci për prezencën e të akuzuarit në seancë.

Sipas avokates Kelmendi, Sekiraqa gjendet nën masën e paraburgimit afër një dekadë dhe se babanë e tij e kishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Unë kam edhe një arsye shtesë kësaj radhe, e që është gjendja shëndetësore e rëndë e babait të të akuzuarit i cili që nga java e kaluar gjendet i shtrirë në spital në QKUK në Prishtinë. Lidhur me këtë gjykatës do t’i dorëzoj edhe dokumentacionin mjekësor për gjendjen e babait të tij”, kishte thënë avokatja Kelmendi.

Ajo kishte deklruar se Enver Sekiraqa ndodhet në paraburgim prej nëntë vitesh duke iu shkelur të drejtat për gjykim fer dhe të drejtë.

“Ju rikujtoj se për një dekadë të qëndrimit të tij në paraburgim saktësisht 9 vite, shumë familjar të tij kanë vdekur, vazhdimi i pafund i masës së paraburgimit është shkelje flagrante e të drejtës së të akuzuarit për një gjykim fer dhe të drejtë brenda një afati të arsyeshëm ligjor”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Por, me këtë propozim nuk ishte pajtuar prokurori special Haki Gecaj i cili kishte thënë se ishin në rigjykim dhe se duhet të dëgjohen edhe shumë dëshmitarë, prandaj sipas tij, propozimi për ndërprerjen e paraburgimit ishte i pabazuar.

Ndryshe në këtë seancë kishin munguar dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, për të cilat prokurori Gecaj ka thënë se mbetet pranë propozimit që të njëjta të ftohen përsëri në seancën e radhës, pasi sipas tij, dëshmia e tyre është e rëndësishme për ndriçimin e çështjes dhe gjendjes faktike në këtë çështje penale.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 15 nëntor 2021.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /BetimipërDrejtësi

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.