Luftë nervash apo fundi i përpjekjeve për koalicion – VV-së dhe LDK-së u kanë mbetur edhe 5 ditë
Asnjë progres nuk është bërë në diskutimet VV – LDK, për çështjen e koalicionit, as pas takimit të sotëm që zgjati mbi dy orë. Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ia ka prezantuar një skenar të vjetër Albin Kurtit, duke ia bërë me dije se në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet për koalicion pa u marrë vesh për presidentin, merr vesh Gazeta Express.
Lideri i LDK’së Isa Mustafa është munduar edhe në takimin e sotëm që të joshë kreun e VV’së, Albin Kurtin me një ministri më tepër, në rast se këta ia japin presidentin, ofertë kjo e prezantuar qysh prej para 3 javëve në tavolinë të diskutimit, por, e kundërshtuar qysh në fillim nga Lëvizja Vetëvendosje.
Burime të mirë informuara brenda partisë së Albin Kurtit kanë deklaruar për Gazetën Express se në takimin e sotëm nuk ka pasur asnjë progres sa i përket bisedimeve, kjo pasi që Mustafa është paraqitur në takim me ofertën e njëjtë që e kishte thënë që nga fillimi, duke mos hequr dorë edhe kësaj radhe nga kërkesa për presidentin e ardhshëm. Sipas VV’së, oferta që po tenton LDK ta prezantojë si të re në fakt është përmendur qysh kur u vë në tavolinë të diskutimit çështja e presidentit.
Oferta të cilën sipas burimeve, LDK ja kishte prezantuar edhe më parë VV’së, e për të cilën qysh në fillim të diskutimeve kishte folur nënkryetari i partisë Agim Veliu në një bisedë me Gazetën Expressishte prezantuar në këtë mënyrë “ Kur LDK merr presidentin, VV’së i kalon edhe një ministri”.
Këtë skenar nuk e ka pranuar Kurti që nuk ka lëshuar pe për diskutimet rreth presidentit. Mustafa madje nuk ka qenë aq i qartë në ofertën e tij, se nga cila ministri do të hiqte dorë si këmbim për pozitën e presidentit.
Kurti sot gjatë ditës ia ka përmendur Mustafës qëndrimin e ndërkombëtarëve, që dje përmes dy deputetëve gjermanë e kanë qartësuar se nuk duhet të negociohet për presidentin. Si rrjedhojë, edhe takimi që u mbajt sot ka përfunduar pa një marrëveshje.
Mesazhin më të qartë rreth asaj se çka po i pret negociatat mes dy partive, e dha nënkryetari i parë i VV’së, Besnik Bislimi që menjëherë pas takimit ka prezantuar përmes Facebook’ut një sondazh që për porosi e ka atë se nëse vendi shkon në zgjedhje fituese do të ishte vetëvendosje me mbi 40 për qind të votave sa dyfishi i LDK’së.
Derisa partitë nuk po merren vesh për koalicionin, të dyjave ju kanë mbetur edhe më pak se një javë para seancës konstituive të thirrur nga presidenti Hashim Thaçi.
E dy vizitorët nga Bundestagu që dje qëndruan në Kosovë thanë se VV dhe LDK do të bëjnë marrëveshje por ata këtë do ta lënë për ditën e fundit. Thirrje për krijimin e qeverisë kanë bërë dje edhe vendet e BE’së të cilëve u janë bashkuar ShBA’të dhe Mbretëria e Bashkuar./GazetaExpress/