Malisheva fillon “Javën e mërgimtarëve”
Prej sot, në Komunën e Malishevës, ka filluar “java e mërgimtarëve”, e cila në tërësi i kushtohet bashkatdhetarëve, të cilët gjenden për pushime në vendlindje. Në kuadër të mbajtjes së saj, do të mbahen një varg aktivitetesh, e të cilat do të kurorëzohen me mbajtjen e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Oda e Llapushës”, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Sot, kjo javë kushtuar mërgimtarëve, ka filluar me mbajtjen e një kuizi, mes shkollave, ku pjesëmarrës ishin nxënësit e shkollave dhe fëmijët mërgimtarë që ndjekin shkollimin shqip, me moton “Kultura dhe Dituria janë vlera tona të përbashkëta”
Në hapjen e këtij aktiviteti, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, tha se “ne nuk bëjmë dallime mes atyre që jetojnë jashtë apo brenda, për ne të gjithë janë të njëjtë, prandaj edhe kjo javë ju kushtohet mërgimtarëve, që ata ndihen të barabartë dhe të mos ketë dallime”, tha nënkryetari Berisha.
Në hapjen e kuizit, drejtoresha për Kulturë, rini dhe sport, Besartë Kryeziu-Ramaj, i ka uruar të gjithë nxënësit pjesëmarrës, ndërsa ka njoftuar të gjithë të pranishmit, për aktivitetet që janë paraparë të zhvillohen gjatë kësaj jave, duke filluar nga kuizi, për të vazhduar me ekspozitë, shfaqje, ekskursione, sofra, aktivitete të cilat zhvillohen bashkë me OJQ “LEDS”, e të cilat vazhdojnë me aktivitetet e organizuara nga Komuna e Malishevës, me panairin artizanal, pastaj sesioni shkencor për folklorin në trevën e Llapushës, dhe të gjitha aktivitetet, do të përmbyllen me 1 dhe 2 gusht, me festivalin folklorik mbarëkombëtar “Oda e Llapushës”, edicioni i pestë.