Malisheva kërkon daljen nga karantina

Pas 50 ditëve qëndrim, komuna e Malishevës kërkon daljen nga karantina.

Kjo kërkesë vjen pasi, sipas Komunës, situata epidemiologjike me COVID-19 në Malishevë është përmirësuar.

“Sonte, fshati Banjë u hoq nga karantina, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë. Radha është t’i hiqet krantinimi edhe Malishevës si tërësi, pasi gjendja është përmirësuar dhe nuk ka nevojë që të vazhdohet kjo gjendje  e të qenit në karantinë të plotë, tërë territori i komunës. Dita ditës, gjendja ka shkuar duke u përmirësuar, numri i infeksioneve ka qenë në rënie, ndërsa numri i të shëruarve ka shkuar në rritje, si dhe gjendja e të prekurve me COVID-19, është duke stabilizuar dhe përmirësuar”, thuhet në komunikatë.

Komuna ka bërë thirrje te kryeministri Kurti që ta shfuqizojë vendimin e datës 14.03.2020 , nr.01/10, për ndalimin e hyrje – daljet e qytetarëve në Komunën e Malishevës.

Sot fshati Banjë i kësaj komune ka dalë nga karantina me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Po ashtu apelojmë tek qytetarët, që të vazhdojnë ti respektojnë udhëzimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike, për masat parandaluese të përhapjes së virusit korona (COVID-19). I falënderojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, për disiplinën dhe maturinë e treguar, gjatë kësaj periudhe”, përfundon komunikata.