Malisheva kundër kategorizimit të qytetit të tyre, në zonën e verdhë!

Shtabi Emergjent në Komunën e Malishevës është shprehur kundër kategorizimit në zonën me rrezikshmëri mesatare të përhapjes së Covid-19

Shtabi Emergjent Komunal në Malishevë, pas shqyrtimi të situatës me covid-19 dhe grumbullimit të të dhënave të sakta për numrin e afektimeve gjatë javës së kaluar, konsideron se kategorizimi i Komunës së Malishevës, në zonën e “verdhë” apo zonën me rrezikshmëri mesatare, është gabim në shifra nga ana e IKSHPK-së. Për këtë gabim në pasditen e vonshme të ditë së djeshme, janë njoftuar edhe IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë, por ata nuk kanë reaguar për rregullimin e këtij gabimi.

Gjatë javës së kaluar, në Komunën e Malishevës, janë regjistruar 38 raste me covid-19, dhe jo 45 siç i ka paraqitur IKSHPK. Të gjithë raste janë të konfirmuara nga shtabi komunal në Malishevë. Në rezultatet javës së kaluar, IKSHPK, në disa raste rastet e ritestimeve, duke i regjistruar si raste të reja. Madje ka raste kur edhe personat nga komunat tjera i ka regjistruar si raste në Malishevë, në së paku tri raste. Gjatë javës, kemi raste kur pas publikimeve, vet instituti i ka konfirmuar gabimet. Të gjitha këto janë të dëshmuara dhe për të gjitha janë të informuar edhe IKSHPK, edhe Ministria e Shëndetësisë, por prapë nuk kanë reaguar.

Shtabi Komunal Emergjent në Malishevë, e vlerëson si të dëmshëm këtë kategorizim, pasi si pasojë e gabimeve, pësojnë qytetarët e Komunës së Malishevës dhe komuniteti i biznesit.

Gabimet janë njerëzore dhe të kuptueshme, por edhe reagimi dhe përmirësimi i gabimeve është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm.

Kërkojmë edhe publikisht nga Ministria e Shëndetësisë që Malishevën ta kthej në kategorinë me rrezikshmëri të ulët të përhapjes së virusit, apo në zonën e gjelbër.

Shtabi Emergjent në Komunën e Malishevës