12-12-2024

Malisheva përgatitet për festivalin “Oda e Llapushës”

Festivali “Oda e Llapushës”, edicioni i pestë, është ngjarja kryesore kulturore në Komunën e Malishevës, që mbahet me 1 dhe 2 gusht, ndërsa përgatitjet për këtë festival po shkojnë sipas parashikimit, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Kështu është thënë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, e cila është drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Sipas drejtores së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj, “përgatitjet për mbajtjen e festivalit po ecin mbarë, ndërsa edhe interesimi i shoqërive folklorike për pjesëmarrje është i madh”. Ajo gjithashtu, tha se edhe përgatitjet për organizimin e javës së bashkatdhetarëve, janë duke shkuar mirë.

Në njoftimin e komunës, thuhet se ardhja e mërgimtarëve për pushime në vendlindje, ka bërë që të rritet edhe fluksi i qytetarëve në shërbimin e gjendjes civile, dhe sipas shefit të ofiqarisë në Malishevë, Agim Morina, deri më tani të gjitha shërbimet po kryhen pa probleme dhe nuk ka vonesa në ofrimin e shërbimeve, andaj edhe nuk ka nevojë për punë jashtë orarit, por nëse një gjë e tillë nevojitet, atëherë do të punohet edhe jashtë orarit.

Sa i përket realizimit të projekteve në Komunën e Malishevës, u tha se projektet që kanë filluar, janë duke vazhduar sipas dinamikës së paraparë, ndërsa në ditët në vijim pritet të fillojnë edhe projektet tjera, të cilat janë të parapara të fillojnë në këtë vit.

Po ashtu, sipas drejtorit të arsimit, Blerim Thaçi, gjatë pushimeve verore, pritet të bëhen riparime në disa nga objektet shkollore, me qëllim që viti shkollor 2018-2019, të filloj pa probleme.

Edhe drejtorët e drejtorive tjera komunale, kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e tyre, ndërsa u bë e ditur se po vazhdon faza e dytë e dezinsektimit selektik kundër rriqrave, edhe pse numri i thumbimeve është në rënie e sipër, ndërsa në fushën e inspektoratit, u tha se falë inspektimit të vazhdueshëm, qytetarët të cilët duan të ndërtojnë, janë vetëdijesuar se nuk mund të bëjnë ndërtime pa leje, e po ashtu inspektorati ka inspektuar edhe mullinjtë, në prag të korrje shirjeve.

Asnjë koment

Comments are closed.