Malisheva po shënon Ditën e Pavarësisë me aktivitete të shumta
Komuna e Malishevës, me aktivitete të ndryshme, është duke shënuar sot Ditën e Pavarësisë, përkatësisht njëmbëdhjetë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Aktivitetet kanë filluar ditë më parë, kryesisht aktivitetet sportive, ku janë zhvilluar ndeshje e turne të ndryshëm, ndërsa sot, është mbajtur një mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës, si dhe janë bërë nderime pranë Shtatores së Adem Jasharit në Malishevë, pastaj homazhe janë bërë në varrezat e dëshmorëve, në Malishevë, Kleçkë dhe Prekaz. Të gjitha këto aktivitete janë mbajtur nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Në mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës, fjalime kanë mbajtur, i pari i Malishevës, Ragip Begaj, pastaj kryesuesi i KK-së, Rrahim Morina dhe kryetari i degës së SHVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu.
Begaj, në fjalën e tij, ka folur për përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, për sakrificën e popullit shqiptar, për luftën e UÇK-së, deri në liri dhe shpallje të pavarësisë. Po ashtu ka folur edhe për kontributin e Malishevës, ndër vite, si dhe për angazhimet e komunës nga pas lufta, për shtet ndërtim dhe zhvillim.
Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, në fjalimin e tij, në mënyrë kronologjike e ka paraqitur rrugëtimin e popullit shqiptar, deri në shpalljen e Pavarësisë.
Për luftën e lavdishme të UÇK_së, ka folur kryetari i degës së SHVL të UÇK-së në Malishevë Metush Kryeziu.
Pas homazheve në vendet e lartpërmendura, një delegacion nga Komuna e Malishevës, në krye me kryetarin Ragip Begaj, kanë bërë homazhe edhe te varrin i presidentit Ibrahim Rugova dhe tek varri Adem Demaçit, në Prishtinë.
Aktivitetet e ditës së sotme, mbyllen me një koncert që mbahet në parkun e qytetit në Malishevë.