25-04-2024

Malishevë: Deklarohet i pafajshëm për vjedhjen e rëndë, që kishte ndodhur më 2010

I akuzuari për vjedhje të rëndë, G. Gashi, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare, të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, Armend Zenelaj, i akuzuari Gashi, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën që i vihet në barrë.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paqarizi ka njoftuar të akuzuarin se brenda afatit ligjor, para shqyrtimit të dytë, mund të parashtrojë kërkesë për hudhje të aktakuzës apo të kundërshtojë provat.

Kurse, shqyrtimi i dytë është caktuar të mbahet më 23 tetor 2018, në ora 13:00.

Sipas gjykatësit Paqarizi, seanca e së enjtes është mbajtur tek pasi që i akuzuari është sjell nga Policia e Kosovës, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest më 4 gusht 2015.

Në këtë rast, bashkë me Gashin, kanë qenë të akuzuar edhe Shpejtim Berisha dhe Faton Morina, por procedura ndaj tyre ishte veçuar më herët.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 shkurt 2011, nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren, Sh. Berisha, G. Gashi dhe F. Morina, akuzohen se më 23 qershor 2010, rreth orës 00:30, në fshatin Kijevë, në  bashkëkryerje kanë  kryer veprën penale vjedhje e rëndë.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Sh. Berisha, duke hapur me kaçavidë derën hyrëse të  marketit të të dëmtuarit, Fitim Kryeziu në fshatin Kijevë, merr arkën ku në të kishte para në vlerë  rreth 300,00, deri në  400,00 euro, 200,00 franga zvicerane, fatura të rregullta me mbishkrim të  marketit, mbushje telefonike të kompanive “Vala”, “Ipko” dhe “Z mobile” në  vlerë  prej 400,00-500,00 euro.

Në vazhdim të aktakuzës thuhet, se i akuzuari Shpejtim Berisha, së bashku me të akuzuarin F. Morina, i cili kishte bërë roje jashtë së bashku me G. Gashin, ikin me gjësendet e vjedhura në drejtin të fshatit Gllarevë dhe në hyrje të fshatit hapin arkën, marrin paratë dhe arkën e hedhin në mbeturina, ç’rast të dëmtuarit Fitim Kryeziu i shkaktojnë dëm material në vlerë  prej 1.100,00 euro.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, i Kodit Penal të  Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.