12-12-2024

Malishevë: Dënim i kushtëzuar ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë për vjedhje rryme

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka dënuar me 150 ditë burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, Shefqet Krasniqi.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të enjten, pasi që i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 20 maj 2019, e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi, Njazi Morina, dënimi me kusht ndaj të akuzuarit Krasniqi, nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

I akuzuari Krasniqi, po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe 20 euro për kompensimin e viktimave.

Kurse, në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari ka kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, për arsye se sipas tij, këtë vepër e ka kryer nga gjendja e rëndë ekonomike, dhe se borxhin është duke ia paguar të dëmtuarës KEDS.

Ndërsa, prokurori i rastit, Bajram Kryeziu, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 27 shtator 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 27 mars 2017, në shtëpinë e tij, në fshatin Drenoc, Komuna e Malishevës, me qëllim që vetit t’i sjellë pasuri të kundërligjshme, është furnizuar me energji elektrike, duke u lidhur direkt përmes kabllos, dhe  me këto veprime  e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS-Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 390.09 euro.

Me këtë, i akuzuari Krasniqi, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”, nga neni 314, paragraf 6, lidhur me paragraf 1, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.